HATME NË FSHATIN BOGOVINË

Sot e diel, më datë 12.10.2025, në Xhaminë e Re të fshatit Bogovinë, u organizua manifestim solemn me rastin e përfundimit të leximit të plotë të Kur’anit Fisnik – hatme, nga nxënësit e mektebit të kësaj xhamie, nën udhëheqjen e mualimit, Xhemaledin ef. Misimi.
Në këtë manifestim të veçantë, përveç prindërve, familjarëve dhe dashamirëve të fjalës së Zotit, mori pjesë kryetari i BFI Reisul Ulema H.Hfz. Shaqir ef. Fetahi, Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili me bashkëpunëtorë nga Myftinia, profesorë dhe imamë të rrethit, si dhe shumë besimtarë nga qyteti dhe më gjerë.
Gjatë fjalës së tij të rastit, Reisul Ulema shprehu mirënjohje të veçantë për përkushtimin e nxënësve dhe të mualimit, duke vënë në pah rolin e rëndësishëm të mektebit si themel i formimit fetar dhe moral të të rinjve. Ndërsa Myftiu në fjalën e tij theksoi se arritjet e nxënësve pasqyrojnë punën e pandërprerë, përkushtimin e sinqertë dhe kujdesin e vazhdueshëm për cilësinë e mësim-besimit në këtë mekteb.
Duaja e hatmes u bë nga referenti i Myftinisë, Idris ef. Idrizi, ndërsa programin e moderoi shefi i kabinitetit, Muhamed ef. Berzati.
Pas përfundimit të programit të përgatitur me përkushtim, u shpërndanë diploma për të gjithë nxënësit që përfunduan hatmen, ndërsa për mualimin Xhemaledin ef. Misimi u nda një mirënjohje e veçantë si shenjë falënderimi për angazhimin e tij të sinqertë dhe profesional.
Zoti i bekoftë këta të rinj me dituri të dobishme dhe vepra të mira, dhe e shpërbleftë mualimin me të mirat e Tij në dynja dhe ahiret.
Falënderime të veçanta u drejtohen gjithashtu edhe imamit Akik ef. Misimi dhe kolegëve të tij, këshillit të xhamisë dhe të gjithë kontribuesve që ndihmuan në realizimin e këtij manifestimi.

©Copyright 2025, All Rights Reserved - Politikat e Privatësis