FRYMA E UNITETIT DHE VËLLAZËRISË – 28 Nëntori Dita e Flamurit

Hutbeja e Xhumasë – 28.11.2025
FRYMA E UNITETIT DHE VËLLAZËRISË – 28 Nëntori Dita e Flamurit
Me mëshirën dhe begatinë e Allahut, jemi bërë vëllezër; qëndrojmë krah për krah në të njëjtin saf para Zotit Fuqiplotë, të bashkuar në të njëjtin iman e vetëdije. Xhumaja ju qoftë e bereqetshme!
Të nderuar Myslimanë!
I Dërguari i Allahut (s.a.s) në një rast u shpreh ndaj sahabëve:
“Ka disa robër të Allahut që nuk janë as pejgamberë e as dëshmorë, por në Ditën e Gjykimit, pejgamberët dhe dëshmorët do t’i kenë zili për afërsinë e tyre të madhe te Allahu.”
Sahabët pyetën: “O i Dërguari i Allahut, kush janë ata?”
Pejgamberi ynë i dashur (s.a.s) u përgjigj: “Ata janë ata që e duan njëri-tjetrin vetëm për hir të Allahut, pa lidhje farefisnie dhe pa ndonjë interes tjetër.” (Ebu Davudi, Shitblerje, (Qiraja), 76)
Islami është fe e teuhidit dhe unitetit; fe e bashkimit, ndihmës dhe solidaritetit. Ajo na urdhëron të ndërtojmë marrëdhënie mbi themelet e mirësisë e drejtësisë, të jetojmë si vëllezër në dashuri e respekt, të sillemi me mëshirë dhe butësi ndaj njëri-tjetrit. Ndërkohë na ndalon t’i kthejmë shpinën njëri-tjetrit, të ndërpresim lidhjet vëllazërore dhe të shfaqim sjellje e fjalë të pahijshme.
Zoti ynë Madhështor thotë:
‏وَاعْتَصِمُوا بِحَبْلِ اللّٰهِ جَمٖيعًا وَلَا تَفَرَّقُواۖ ﴿١٠٣﴾
“Të kapuni fort pas litarit të Allahut të gjithë së bashku dhe mos u përçani.” (Ali Imran, 3/103)
Pejgamberi (s.a.s) na paralajmëron:
لاَ تقاطعوا ولاَ تدابروا ولاَ تباغضوا ولاَ تحاسدوا وَكونوا عبادَ اللَّهِ إخوانًا
“Mos i ndërpreni marrëdhëniet mes jush, mos i ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos mbani urrejtje e smirë. O robër të Allahut, bëhuni vëllezër!”
Vëllezër të nderuar!
Ne jemi besimtarë të së njëjtës fe, robër të të njëjtit Allah, të kthyer kah e njëjta kibla, të udhëzuar nga i njëjti Libër dhe të dashuruar pas të njëjtit Pejgamber. Jemi pasardhës të atyre që dhanë shembuj të papërsëritshëm të drejtësisë dhe paqes, dhe që sakrifikuan jetën për fenë, atdheun dhe vlerat e shenjta. Atdheu ynë i çmuar është amanet i të parëve tanë. Flamuri ynë i lavdishëm është simboli i lirisë dhe pavarësisë sonë, është një amanet që na lidh me të kaluarën dhe na obligon për të tashmen dhe të ardhmen.
Sot, përveçse jemi mbledhur në këtë ditë të bekuar të Xhumasë, përjetojmë edhe një ditë të shënuar për historinë dhe identitetin tonë kombëtar – 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit. Kjo ditë na kujton sakrificat, mundin dhe përpjekjet e panumërta të gjeneratave para nesh për liri, dinjitet dhe mbijetesë kombëtare.
Si besimtarë, ne e dimë se dashuria për atdheun është pjesë e përgjegjësisë sonë fetare dhe morale. Feja jonë na mëson të jemi njerëz të drejtësisë, të ndershmërisë dhe të ndihmës së ndërsjellë – vlera që ndërtojnë një shoqëri të fortë dhe një komb të dinjitetshëm.
Le të shënojmë këtë ditë jo vetëm me krenari, por edhe me reflektim:
– A po e ruajmë unitetin tonë?
– A po kultivojmë respektin ndaj njëri-tjetrit?
– A po kontribuojmë për të mirën e vendit tonë me vepra të mira dhe shembull të mirë?
Pejgamberi (s.a.s) ka thënë:
تَرَى المُؤْمِنِينَ في تَراحُمِهِمْ وتَوادِّهِمْ وتَعاطُفِهِمْ، كَمَثَلِ الجَسَدِ، إذا اشْتَكَى عُضْوًا تَداعَى له سائِرُ جَسَدِهِ بالسَّهَرِ والحُمَّى
“Përshembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe ndjeshmërinë mes tyre është si ai i një trupi: kur një pjesë e tij sëmuret, gjithë trupi bashkohet me pagjumësi dhe ethe.” (Sahih Muslim, 2586)
Hutbën time e përfundoj me këtë ajet të shenjtë me përkthimin e tij:
وَاَطٖيعُوا اللّٰهَ وَرَسُولَهُ وَلَا تَنَازَعُوا فَتَفْشَلُوا وَتَذْهَبَ رٖيحُكُمْ وَاصْبِرُواؕ اِنَّ اللّٰهَ مَعَ الصَّابِرٖينَۚ ﴿٤٦﴾
“Dëgjoni (respektojeni) Allahun dhe Pejgamberin e Tij, mos u grindni (përçani) me njëri‑tjetrin, përndryshe do të dobësoheni dhe fuqia juaj do t’ju largohet (humbet). Bëhuni durimtarë, sepse Allahu është me durimtarët”. (Enfal, 8/46)
Lutemi që Allahu i Madhëruar ta ruajë popullin tonë në besim dhe harmoni, ta bekojë vendin tonë me siguri, bashkim dhe përparim dhe të na bëjë prej atyre që e duan atdheun.
Përgatiti: Mr. Mahmud Emini – Referent i Myftinisë së Tetovës.

©Copyright 2026, All Rights Reserved - Politikat e Privatësis