U mbajt tubimi për hir të Festave të Nëntorit
Pas namazit të jacisë, me datë 26 nëntor 2025, në xhaminë e bukur të fshatit Kallnik, u mbajt tubim fetar-kombëtar kushtuar Festave të Nëntorit, ku u bashkuan besimtarë, intelektualë dhe mysafirë nga rrethina për të kujtuar ngjarjet madhore të historisë sonë kombëtare.
Namazin e jacisë e udhëhoqi Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili, ndërsa ezanin dhe detyrën e muezinit e kreu Avni Nebiu, duke i dhënë programit një atmosferë të veçantë shpirtërore. Programi filloi me lexim të Kuranit nga mysafiri, lexuesi Abdullah Shaqiri, i cili përmes ajeteve të lexuara solli një reflektim të bukur .
Më pas, fjalën përshëndetëse e mori nikoqiri, Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili, i cili nënvizoi rëndësinë e shënimit të Festave të Nëntorit dhe theksoi se këto ditë na kujtojnë karakterin tonë kombëtar, identitetin dhe përgjegjësinë që kemi ndaj brezave të ardhshëm.
Pas fjalës përshëndetëse, programi u pasurua me disa ilahi, të cilat sjellën një atmosferë emotive dhe rritën ndjenjën e krenarisë fetare e kombëtare tek të pranishmit.
Më pas, Myftiu i Shkodrës, imami Muhamed ef. Sytari, mysafiri i posaçëm i mbrëmjes, iu drejtua të pranishmëve me ligjëratën kryesore me temë “Pesha e dijetarëve islamë në formimin e vetëdijes kombëtare”, duke theksuar rolin historik të ulemave në ruajtjen e gjuhës, fesë dhe çështjes kombëtare.
Në fund të programit, u kënduan sërish disa ilahi dhe u bë një lexim përmbyllës i Kuranit nga medresanti Hfz. Semir Shaipi, duke e mbyllur tubimin me dua dhe lutje për atdheun dhe mbarë kombin. Moderimin e mbrëmjes e bëri Hfz. Omer Dauti, imami i xhamisë nikoqire, i cili me kujdes e profesionalizëm lidhte pjesët e programit dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, mysafirët dhe kontribuuesit për këtë manifestim të denjë për Festat e Nëntorit.
Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë se xhamitë tona, përveçse vende adhurimi, janë edhe hapësira ku kultivohet vetëdija fetare dhe kombëtare dhe ku brezat e rinj frymëzohen nga fjala e Kuranit dhe nga shembulli i dijetarëve.

©Copyright 2026, All Rights Reserved - Politikat e Privatësis