Medreseja Isa Beu

Pasqyrë të shkurtër mbi historikun dhe organizimin e sotëm të institucioneve arsimore Islame në Republikën e Maqedonisë

Është thënë e stërthënë në të gjitha mësimet se dituria në Islam është e shenjtë dhe se ajo zë një vend të rëndësishëm në shoqërinë myslimane. Për të Allahu i Madhërishëm në ajetet e para të Kuranit famë lartë, para se të na flasë për dëshminë e përkatësisë islame, iu drejtua njerëzimit me thirrjen më të lartë : “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur. Lexo! Se Zoti Yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”

​Ndërkaq mësuesi i njerëzimit, Muhammedi a.s., na porositi se “Kërkimi i diturisë është detyrë për çdo mysliman”. 

​Duke qenë të përkushtuar në jetësimin në praktikë të urdhrave hyjnore dhe të porosive të Pejgamberit a.s., Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë  së Veriut – nën udhëheqjen e Reis ul-Ulemas, Myftive, Drejtorëve  të institucioneve dhe me kontributin e popullatës myslimane të këtij nën qielli, ka bërë përpjekje të vazhdueshme në fushën e edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj. 

​Edukimi dhe arsimimi fetar islam në Maqedoni është i hershëm sa edhe vetë prania e fesë së ndershme Islame në këto troje. Ilustrimi më i mirë dhe argumenti më i qartë për këtë është “Medreseja Isa Beu” në Shkup.

Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX myslimanet e Ballkanit, në përgjithësi, kurse myslimanët në trojet shqiptare në veçanti, përjetuan gjenocid e kulturocid fetar, kombëtar, arsimor e kulturor. Megjithatë edhe në rrethana kur ishte vënë në pyetje ekzistenca e myslimanëve, medresetë kanë qenë barriera më e fuqishme dhe e pathyeshme nga keqdashësit e fesë dhe kombit.

Që nga koha Osmane e deri më sot janë qindra mijëra nxënës e nxënëse që janë edukuar e frymëzuar në këto medrese, të cilët janë bërë mburoja më e rëndësishme e identitetit tonë fetarë e kombëtarë në këto treva.

Në frymë të kësaj rruge dhe të kësaj tradite, ka vazhduar jetën e saj edhe  Medreseja e ISA BEUT në Shkup, në të vërtetë,  ajo është themelua para pesë shekujsh e gjysmë, që në vitin 1440 dhe bartë emrin e vetë themeluesit të sajë.

Sa herë që do të kujtohet historia e arsimit islam, patjetër do të përmendet edhe emri i Isa Beut, themeluesit të saj, emër të cilin e mban edhe sot e kësaj dite,  por fati i saj nuk ka qenë gjithnjë i lumtur. Në rrugën e saj qindravjeçare ajo ka pësuar disa rrënime. Ajo u shkatërrua deri në themel në vitin 1689, atëherë kur qytetin e Shkupit e dogji gjenerali austro-hungarez Pikolomini. Gërmadhat e sajë janë ruajtur deri para Luftës së Parë Botërore. 

Në fillim të viteve të tridhjeta presioni i popullit qe i madh për ta riaktivizuar  dhe për ta forcuar këtë institucion. Por, një gjë të tillë qeveria jugosllave nuk e shihte me sy të mirë. Kështu që pas riaktivizimit të saj në vitin 1932, kësaj medreseje më 2 tetor të vitit 1932 iu bë edhe inaugurimi. Megjithatë jeta e saj qe e shkurtër, ajo veproi vetëm pesë vjet (1936-1941), në prag të Luftës së dytë botërore numëronte tridhjetë e dy nxënës. 

Pas një pauze të kuptueshme për shkak të sistemit komunist, tradita e saj vazhdoi më 15. 10. 1984 me iniciativën e Bashkësisë Fetare Islame dhe me kontributin e popullatës muslimane. Kjo Medrese arriti të ruajë konti unitetin e saj, dhe tani funksionon në fshatin Kondovë – Shkup, duke i zgjeruar degët e saja edhe në Shkup, Tetovë , Gostivar, dhe Shtip.

Paralelja e vajzave në Tetovë, është hapur në vitin shkollor 2004/2005, paralelja në Shtip, e cila është hapur më 2005/2006, Pastaj është hapur paralelja e vajzave në Shkup, e cila është hapur më 2006/2007. E katërta është ajo e vajzave në Gostivar, e cila është hapur në vitin 2008/2009.

Kjo vatër arsimore ka prezantuar denjësisht vetën në të gjitha fushat studimore, duke u vlerësuar në shumë vende si njëra ndër shkollat më të suksesshme  brenda dhe jashtë vendit.

 

Sot, nxënësit/nxënëset që kanë kryer këtë shkollë janë pjesë e universiteteve të ndryshme dhe kanë treguar rezultate të shkëlqyera. Emri, respekti dhe të arriturat e shkollës tonë janë të njohura jo vetëm për mësimin cilësor, por edhe duke qenë shembull më i mirë në kultivimin e vlerave të besimit dhe moralit.

 

Sukseset dhe të arriturat e medresesë janë meritë e mësimdhënësve të angazhuar dhe kujdesit të vazhdueshëm të institucioneve udhëheqëse të Bashkësisë fetare Islame, të cilët kanë siguruar gjithçka të nevojshme për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor, duke filluar nga mësimdhënësit e kualifikuar, infrastruktura dhe plan programet mësimore.

 

Rikujtojmë se Medreseja Isa Beu, është më shumë se sa një shkollë e rëndomtë, pasi aty krahas mësimit që jepet, nxënësit/nxënëset njohin dhe kultivojnë vlerat fetare, morale si dhe edukimin e shëndoshë kombëtar.

Vlen të theksohet se në vitin 2025 Medreseja Isa Beu është akredituar nga Ministria e Arsimit të R. Maqedonisë së Veriut. 

Krahas arsimit të mesëm, në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut funksionon edhe Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup. Është një institucion më i lartë arsimor islam, i cili nxjerrë brezin e ri të teologëve dhe nëpunësve të rinj në frymën e shëndoshë fetare islame.  

Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup është edhe i akredituar nga Ministria e Arsimit të R. Maqedonisë së Veriut. 

Të gjitha këta Institucione edukativo arsimore funksionojnë nën ombrellën e Bashkësisë Fetare Islame të Republikën së Maqedonisë  së Veriut.


SHAM “ Medreseja Isa Beu “ – paralelja e vajzave - Tetovë

Dr. Beqir ef. Memeti

Koordinator i Medresesë Isa Beu - Paralelja e Vajzave në Tetovë

Arsimimi:

Dr. Beqir Memeti ka lindur më 04 mars 1976, në fshatin Xhepçisht të Tetovës. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollimin e mesëm në Medresenë “Isa Beu” në Shkup. Pas përfundimit të shkollës së mesme, vijoi kursin e gjuhës arabe në Universitetin “Zejtuna” në Tunis. Studimet deridiplomike i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Islame – Shkup, ndërsa studimet e magjistraturës në Universitetin e Tetovës, Fakulteti Filozofik, në programin studimor Filologji orientale. Në vitin 2018 regjistroi studimet e doktoraturës në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës, në drejtimin Filologji orientale, të cilat i përfundoi në vitin 2024 me temë Relacionet orient- oksident në veprimtarinë e autorëve shqiptarë 1912-1939.  Dr. Beqir Memeti ka marrë pjesë në konferenca shkencore dhe ka botuar punime në revistat shkencore PHILOSOPHICA dhe ALBANOLOGJIA. Është autor i librit Publicistika e Haki Sharofit (2022).

Përvoja e punës:

Dr. Beqir Memeti nga viti 1999 deri më 2015, ka shërbyer si imam në Xhaminë e fshatit Xhepçisht. Në vitin 2005, ka qenë një nga themeluesit dhe drejtor i Fondacionit “RENOVA”. Në vitin 2015, themeloi Sektorin për Kulturë në Myftinisë së Tetovës, të cilin e udhëhoqi deri në vitin 2017. Gjatë viteve 2017–2019 ka ushtruar detyrën e koordinatorit në Medresenë “Isa Beu” – paralelja e vajzave në Tetovë. Gjatë përiudhës 2019-2024 ka shërbyer si Referent për arsim në Myftininë e Tetovës. Gjatë viteve 2020- 2024, Dr. Beqir Memeti ka qënë i angazhuar si asistent part-time në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin Filozofik, programi studimor Filologji orientale. Nga viti 2025 ushtron detyrën e koordinatorit në Medresenë “Isa Beu” – paralelja e vajzave në Tetovë.

©Copyright 2026, All Rights Reserved - Politikat e Privatësis