DUA HATME NË XHAMINË MUHAREMÇE – PENSIONOHET MUALIMI JUSUF EF. JAKUPI PAS 41 VITESH SHËRBIM
Sot, më datë 01.11.2026 (e diel), në Xhaminë Muharemcë, u realizua solemnitet fetar – dua hatme me rastin e përfundimit të leximit të Kur'anit Fisnik nga nxënësit e mektebit që e ndoqën mësimbesimin fetar tek mualimi i nderuar, Jusuf ef. Jakupi. Ky manifestim kishte një peshë të veçantë emocionale, pasi shënoi hatmen e fundit të mualimit Jusuf ef. Jakupi, i cili me këtë rast doli në pension pas një shërbimi të gjatë dhe të palodhur në rrugën e dijes dhe edukimit fetar.
Këtë solemnitet madhështor me prezencën e tij e nderoi Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahi. Në këtë manifestim të pranishëm ishin gjithashtu edhe Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Bujanoc, Mr. Ragmi ef. Destani, Myftiu i Peshkopisë, Mr. Mujiz ef. Kurtulla, drejtorë të Rijasetit të BFI-së, profesorë të Fakultetit të Shkencave Islame (FSHI) dhe të Medresesë, operativa e Myftinisë së Tetovës, hoxhallarë të shumtë nga vendi dhe më gjerë, familjarë, si dhe besimtarë e besimtare të shumtë.
Në hapje të programit, me fjalë mirëseardhëse të pranishmëve iu drejtua imami i xhamisë, Shafi ef. Ajdini, ndërsa muezini i xhamisë, Jonus ef. Tairi, lexoi biografinë e mualimit Jusuf ef. Jakupi, i cili për 41 vite me radhë ka shërbyer me përkushtim të pashoq si mualim në këtë xhami.
Më pas, me fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtuan edhe Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Bujanoc, Mr. Ragmi ef. Destani, si dhe Myftiu i Peshkopisë, Mr. Mujiz ef. Kurtulla, të cilët vlerësuan lart misionin fisnik të mualimit dhe rëndësinë e mësimbesimit fetar.
Në fjalimin e tij të rastit, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahi përshëndeti të pranishmit dhe uroi përzemërsisht nxënësit si dhe mualimin në emrin e tij personal dhe në emër të Myftiut të Myftinisë së Tetovës, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili, i cili për shkaqe subjektive nuk mundi të jetë i pranishëm. Ai çmoi lart kontributin jetësor 41-vjeçar dhe sakrificën e mualimit Jusuf ef. Jakupi në edukimin e shumë gjeneratave me dritën e Kur'anit dhe vlerat e pastra islame.
Programin e moderoi sekretari i Myftinisë së Tetovës, Semir ef. Fazliji, ndërsa duanë e hatmes e bëri Prof. Dr. Taxhudin ef. Bislimi.
Në fund të programit, krahas shpërndarjes së diplomave për nxënësit që kryen leximin e Kur'anit Fisnik, në shenjë respekti dhe falënderimi për kontributin shumëvjeçar, mualimit Jusuf ef. Jakupi iu ndanë mirënjohje dhe dhurata të shumta nga institucionet, kolegët, nxënësit dhe familjarët, duke e përmbyllur këtë rrugëtim me nderime të larta.
Nxënësve, Zoti u dhëntë suksese edhe në të ardhmen, ndërsa mualimit Jusuf ef. Jakupi i dhëntë shëndet të plotë, pension të rehatshëm dhe e begatoftë me të mirat e Tij të pafundme për çdo shkronjë të mësuar!





